Dhuna në basketboll; Disiplina dorë të hekurt ndaj Vllaznisë e Tiranës

Tre ditë pas dhunës në parketin e pallatit të sportit në Shkodër në ndeshjen Vllaznia-Tirana, Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës së Basketbollit, ka marrë vendime të forta ne lidhje me këtë rast. Me nga 6 muaj u pezulluan kapiteni i ekipit të Tiranës Erkand Karaj dhe trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj. Përveç pezullimit afatgjatë, ndaj tyre janë caktuar edhe gjoba të rënda, 70 mijë lekë gjobë trajnerit Gjeçaj dhe 50 mijë lekë për basketbollistin Karaj. Për tri javë është pezulluar edhe basketbollisti i Vllaznisë Gjon Ndoja, për nxitje dhune. Ndërsa basketbollistët Shima, Ndoja , Lekndreaj dhe Xhonson janë gjobitur me nga 30.000 lekë secili. Dënimeve nuk i kanë shpëtuar klubi i Vllaznisë, i cili është dënuar me 10.000 leke për mos marrjen e masave për organizimin e mirë të takimit. Për këto vendime klubet e Vllaznisë dhe të Tiranës kanë të drejtë të apelojnë brenda afatit të 15 ditëve.