Europiani i futbollit i organizuar nga Franca nisi me akte dhune mes tifozëve dhe përfundoi sërish me të tilla akte.

Trazirat më të fundit shpërthyen menjëherë pas përfundimit të finales së turneut, të humbur nga “Gjelat” e Deschamps, ndërsa vendi që u bë dëshmitar i dhunës ishte pikërisht kulla “Eiffel”. Ajo që parashikohej të ishte një festë madhore për futbollin, u kthye shumë shpejt në përleshje mes bandave të të rinjve dhe forcave të policisë të armatosura rëndë. Re të dendura gazi lotsjellës janë kapur nga fotot e rastit, të cilat kanë shkuar edhe mbi kullën më të famshme të botës. Trazirat nisën në fakt vetëm pak minuta nga fillimi i ndeshjes finale mes Francës organizatore dhe Portugalisë së Cristiano Ronaldos, tashmë kampione e Europës. Autoritetet franceze kishin krijuar rreth 80 mijë vende ulëse në të supozuarën “fan zone” të sigurtë” vetëm pak më tutje nga Kulla “Eiffel”, por kur numri i agresorëve u rrit policia nisi të përdorte gazin lotsjellës. “Kishte shumë njerëz që donin të hynin brenda, – tha një oficer nga vendngjarja. – Ne duhej të përpiqeshim t’i mbanim ata jashtë, ndaj dhe u përdor gazi lotsjellës. Disa prej të refuzuarve për t’u futur në zonën e tifozëve nisën t’u vinin flakën koshave të mbeturinave pranë kullës ‘Eiffel’, e në këtë momet u bë e paevitueshme ndërhyrja jonë. Për fat të keq pati edhe shumë luftime të tjera”. Në të njëjtën zonë të tifozëve pati një panik tepër të madh edhe kur Franca u ndesh me Gjermaninë në gjysmëfinalet e Europianit, gjatë së enjtes së kaluar. Në ikje e sipër, njerëzit mendonin vetëm sesi të arratiseshin për shkak të frikës se ndonjë kamikaz islamik mund të gjendej mes turmës. E gjitha kjo ndodhi vetëm për shkak të një fishekzjarri, që gabimisht u ngatërrua me të shtëna armësh zjarri.