Partia Fryma e Re Demokratike ka akuzuar Sali Berishën si organizatorin e dhunës dje në selinë e PD-së, duke e cilësuar si një sulm të pabesë dhe kriminal nga një grup të rebeluarish të cilët janë manipuluar. Ka qenë kreu i FRD Sali Shehu i cili përmes një deklarate zyrtare shprehet se  aksione te tilla janë të denja për guerrilasit e revolucionarët e majtë, që kulmuan në shek.19 dhe 20.

Sipas tij ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës.
“Fryma e Re Demokratike, si aleate e Partisë Demokratike, ndoqi sot me shqetësim sulmin e egër, të pa besë e kriminal nga një grup të rebeluarish, të revoltuarish e të manipuluarish kundër selisë qendrore të PD. Fryma e Re Demokratike, ashtu si gjithë opinioni kombëtar e ndërkombëtar, është ndjerë sot e shokuar për aksionin kundër selisë, që të kujtonte sulmin mbi Bastije apo akoma me keq, sulmin që bolshevikët rusë, nën udhëheqjen e Leninit , bënë ndaj Pallatit të Dimrit në tetor të 1917-s. Aksione të tilla janë të denja për guerrilasit e revolucionarët e majtë, që kulmuan në shek.19 dhe 20. Ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës. Pjellat e dhunës sot shënuan fundin e tyre politik sepse i shërbyen forcave antishqiptare që janë të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë e gjithë Ballkanit Perëndimor. Sot, edhe dishepujt me fanatikë, të verbër e të manipuluar janë shokuar, ndjerë keq e të turpëruar. Si mundet që një lider themelues të programojë projekte të tilla të çmendura kundër shtëpisë së tij të lirisë. Dhe kjo na tregon se deri ku të çon egocentrizmi i sëmurë, arrivizmi i skajshëm, arroganca e autoritarizmi. Ne edhe një herë, të shqetësuar për fatet e opozitarizmit, e dënojmë këtë akt banditesk dhe paralajmërojmë se akte të tilla nuk do të sjellin asnjë përfitim për ideuesit dhe zbatuesit, vetëm do të shënojnë fillimin e ri të një procesi të dhimbshëm, por të domosdoshëm për ndarjen përfundimtare të PD e opozitës shqiptare nga reminishencat e enverizmit, nga trashëgimia komuniste, ndarjen nga dhuna e përdorimi i forcës, ndarjen nga urrejtja, inkriminimi, nga përçarja e format e reja të luftës së klasave, ndarjen nga berishizmi.

Ne u bëjmë thirrje subjekteve politike të djathta, faktorëve politikë të fillim viteve 90, intelektualeve , kontribuuesve në vite të PD, institucioneve akademike të mos qëndrojnë sehirxhinj, por të dënojnë dhunën, nga cilado anë që të vijë ajo, të ndihmojnë për një zgjidhje politiko – juridike të situatës dramatike që po kalojmë. Tani ! Nuk ka me kohë”, thuhet në reagimin e kryetarit të Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu.  Kujtojmë se FRD ka dalë si forcë politike nga gjiri i Partisë Demokratike pas përplasjes së Sali Berishës me ish-Presidentin Bamir Topi. Ditën e djeshme kanë reaguar për sulmin që iu bë godinës së PD ish-themelues të PD, anëtarë të saj por edhe figura të rëndësishme në historinë politike të vendit.