
Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, ku u dhunua drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për qarkun e Shkodrës, Ramir Haderi. Sulmi ndodhi rreth orës 21:30 në lagjen “Fahri Ramadani”, e njohur ndryshe si zona e “Rusit”, teksa Haderi po kthehej drejt banesës së tij.
Sipas burimeve drejtori i AKU-së është goditur me sende të forta nga një person ende i paidentifikuar, i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e goditjes, Haderi ka pësuar dëmtime në pjesën e vetullës, duke marrë menjëherë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Mësohet se ai iu nënshtrua ekzaminimeve të plota mjekësore, përfshirë edhe skanerin, për të verifikuar gjendjen shëndetësore pas sulmit.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Haderi ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorin e sulmit, pasi në momentin e ngjarjes ishte duke folur në telefon.
“Isha duke ecur dhe duke folur në telefon kur një person doli nga një rrugicë dhe më goditi me një send të fortë që kishte në dorë. Nuk arrita që ta shoh sepse po flisja në telefon dhe u largua me shpejtësi”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Drejtori i AKU-së ka theksuar gjithashtu se nuk ka konflikte personale dhe se nuk e di motivin e sulmit ndaj tij.
“Nuk e di përse më goditi sepse unë nuk kam konflikte. Bëj punën normalisht, por nuk e di cila është arsyeja që më qëlluan”, është shprehur Haderi.
Pas ngjarjes, policia e Shkodër ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit. Uniformat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi sulmi, ndërsa po punohet për të rindërtuar itinerarin e lëvizjes së autorit para dhe pas ngjarjes.
Në njoftimin paraprak, policia bëri të ditur se:
“Rreth orës 21:30, në Spitalin Rajonal Shkodër është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi R. H., me detyrë drejtor i AKU-së Shkodër, i cili ka deklaruar se në lagjen ‘Fahri Ramadani’ është goditur me sende të forta nga një shtetas ende i paidentifikuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.”
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një nga pistat kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me detyrën e Haderit në krye të AKU-së në Shkodër, institucion i cili ka në fokus kontrollin e sigurisë ushqimore dhe inspektimet ndaj subjekteve tregtare. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë as pista të tjera deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.


