Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Arst, në bashkinë Fushë-Arrëz, ku një çift bashkëshortësh është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 08:00, dy persona dyshohet se kanë goditur me sende të forta Skënder Nikën, 55 vjeç dhe Bardhe Nikën, 51 vjeçe, banues në fshatin Arst. Si pasojë e sulmit, të dy kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga zona bëjnë me dije se fillimisht është sulmuar Skënder Nika, teksa po kthehej drejt banesës, ndërsa më pas është dhunuar edhe bashkëshortja e tij, Bardhe Nika.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me një operacion antidrogë të zhvilluar rreth tre javë më parë në zonë, gjatë të cilit policia asgjësoi tre parcela të mbjella me kanabis. Sipas burimeve, çifti dyshohet se kishte sinjalizuar autoritetet për ekzistencën e parcelave.

Nga spitali, Skënder Nika ka deklaruar se autorët ishin të maskuar dhe fillimisht janë prezantuar si punonjës policie. Ai ka pohuar se konflikti i vetëm që ka pasur lidhet me një familje të zonës për çështje që kanë të bëjnë me kultivimin e dredhëzave.

Sipas tij, me të njëjtët persona ka pasur përplasje edhe katër vite më parë, pasi ishte akuzuar prej tyre për denoncim pranë autoriteteve.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia po verifikon të gjitha pistat hetimore që mund të çojnë në zbardhjen e motivit të kësaj ngjarjeje.

Artikulli paraprakVIJON AKSIONI PËR LIRIMIN E HAPËSIRAVE NË SHKODËR
Artikulli tjetërVLLAZNIA ME MENDJEN TE MERKATO DHE TE EUROPA