Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mund të bojkotojë takimin e parashikuar për t’u mbajtur në Bruksel më datë 27 janar, me homologun e tij, Aleksandër Vuçiç dhe me praninë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për politikat e Jashtme, Federica Mogherini.

Lajmi është dhënë nga mediat kosovare, të cilat citojnë burime konfidenciale. Sipas tyre, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka komunikuar se Mustafa ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare për takimin dhe se po konsideron mundësinë e bojkotimit të mbledhjes. Përfaqësuesi i qeverisë së Prishtinës, ka thënë gjithashtu se kreu i ekzekutivit kosovar nuk ka ende asnjë propozim për çështje që mund të diskutohen në takim. Gjithmonë sipas mediave, ky qëndrim i Kryeministrit është ndikuar nga mos-liberalizimi i vizave për Kosovën, që është edhe një prej aspiratave më të mëdha të qeverisë. Ky lajm përforcohet edhe nga intervista e dhënë nga Mustafa gjatë festave të fundvitit, ku ai deklaroi se nuk do të udhëtonte në vendet ku vizat janë të liberalizuara deri në momentit që Bashkimi Europian do t’a mundësojë një gjë të tillë për të gjithë shtetasit kosovarë.

Artikulli paraprak“LA STAMPA: ISIS PO KËRKON TË REKRUTOJË LUFTËTARË NË BALLKAN
Artikulli tjetërSHQIPËRIA, PORTA E XHIHADIT PËR EKSTREMISTËT E ISIS