Gjatë ditës së sotme do të zhvillohet takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me ndërmjetësim e Bashkimit Evropian.

Takimi i parë mes dy liderëve është zhvilluar afërsisht një muaj më parë, më 15 qershor dhe pavarësisht vështirësive dhe mosmarrëveshjeve, ata vendosën të ritakohen për të vazhduar procesin e dialogut i cili ishte një çështje e mbetur pezull prej shtatorit të vitit 2020.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas përfundimit të takimit të parë mes Kurti dhe Vuçiç u shpreh se të dy krerët e shteteve deklaruan se nuk ka asnjë mënyrë përveç dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve.

“Të dy liderët patën një shkëmbim idesh në lidhje me atë që ata presin nga dialogu. Ajo çfarë ka rëndësi për BE, është e njëjtë si ajo që kanë konfirmuar edhe dy liderët se nuk ka formë tjetër për të ecur përpara përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata do të punojnë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet dialogut”, deklaroi Lajçak pas takimit.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë finale. Me 4 shtator në Uashington palët janë zotuar për normalizim ekonomik nën ndërmjetësimin e SHBA-ve.

Paralelisht në Bruksel është zhvilluar një takim dhe sot pritet të realizohet i dyti, për arritjen e një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i dialogut ka filluar me 8 mars 2011, pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi.

Që nga fillimi i këtij procesi, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur rreth 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë mbikëqyrës, deri më tani ka miratuar pesë Rezoluta për procesin e dialogut: më 10 mars të vitit 2011, më 18 tetor 2012, më 21 prill 2013, më 15 dhjetor 2018 dhe më 15 mars 2020.

Përmes këtyre Rezolutave, përveç mandatimit të Qeverisë për të negociuar në Bruksel me shtetin serb, Kuvendi po ashtu obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për të raportuar në mënyrë të rregullt para Kuvendit për mbarëvajtjen e procesit të dialogut.