Në përfundim të numërimit të votave preferenciale, Gjin Gjoni, kandidati i Partisë Demokratike për deputet në qarkun Lezhë, ka rezultuar më i votuari, me 10285 vota preferenciale. Ky rezultat e rendit gjithashtu ndër politikanët më të votuar në shkallë vendi, duke dëshmuar një mbështetje masive nga qytetarët e Lezhës.Edhe pse vetëm një vit në politikë, Gjoni ka dalë me një diferencë të thellë ndaj rivalëve të tjerë në garë, teksa me qëndrimet e tij të qarta dhe të forta gjatë fushatës, ai fitoi besimin jo vetëm të demokratëve, por edhe të shumë qytetarëve të zhgënjyer nga politika tradicionale.
Mbështetja masive që mori e konfirmon Gjin Gjonin si figurë dominuese politike në qarkun Lezhë dhe një zë të rëndësishëm të opozitës në skenën kombëtare. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar përfundimisht fituesin e mandatit të tretë për Partinë Socialiste në qarkun e Lezhës, pas përfundimit të numërimit të votave preferenciale, përfshirë edhe zarfat e ardhur nga diaspora.

Gara për këtë mandat ishte tepër e ngushtë mes disa kandidatëve, por u vendos nga votat e diaspores. Admir Kadeli, i cili ishte renditur i dyti në votat brenda vendit, arriti të sigurojë numrin më të lartë të votave gjithsej, pasi diaspora i dha një mbështetje të fortë me 1,986 vota, duke e çuar totalin e tij në 7,586 vota preferenciale – më shumë se çdo kandidat tjetër në listën socialiste. Në krahasim me Marjeta Nelin që kishte marrë më shumë vota brenda vendit (6,745), por vetëm 814 nga diaspora, duke përfunduar me një total prej 7,559 votash, vetëm 27 vota më pak se Kadeli.

Ky rezultat nxjerr në pah ndikimin e drejtpërdrejtë që diaspora shqiptare ka pasur në përcaktimin e fituesit, duke ndryshuar renditjen përfundimtare të kandidatëve. Votuesit jashtë vendit për herë të parë në mënyrë kaq domethënëse kanë përcaktuar fatin e një deputeti në parlament.

Artikulli paraprakFEMIJËT QË KËRKOJNË LËMOSHË NË RRUGË
Artikulli tjetërPËRFUNDIMI I NUMËRIMIT PËR VOTAT E DIASPORËS, BALLA: VOTUAN EDIN! PD S’ISHTE SHUMË E INTERESUAR PËR REZULTATIN, POR PËR ALIBINË E HUMBJES