Ky zjarr përfshiu dy automjete në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër. Dyshohet se zjarri i vendosur në këto dy makina është i qëllimshëm. Dy automjetet e djegura janë në pronësi të shtetasit Sabaudin Hoxha. Makinat ishin të parkuara ndërsa ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit.

Një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka djegur me benzinë dy makinat që ndodheshi të parkuara në vendin e quajtur tek Çinari në qytetin e Shkodrës. Në njoftimin e saj policia vendore e Shkodrës bën të ditur se “rreth orës 03:25, në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’, ka rënë zjarr në 2 automjete, tip ‘Benz ML’ dhe ‘Kiron Ssanyong, në pronësi të shtetasit Sabaudin Hoxha. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Menjëherë pas flakëve të zjarrit në vendngjarje mbërritën forcat e repartit zjarrëfikës të cilët ndërhynë me shpejtësi duke bërë të mundur shuarjen e flakëve në dy autmojetet e përfshira. Njëra prej makinave thuajse është djegur plotësisht, ndërsa automjeti tjetër pësoi dëme të pjesshme. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë duke nisur hetimet paraprake. Efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës përreth. Nga pamjet që disponon policia shihet një person që dyshohet se është në një moshë të re, i maskuar duke iu afruar automjeteve dhe duke i vënë flakën dhe më pas largohet me shpejtësi.

Uniformat blu janë duke hetuar për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit të zjarrëvënies. Pas ngjarjes shtetasi Sabaudin Hoxha i pyetur nga policia deklaroi se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund t’i ketë djegur dy automjetet. Në të njëjtin vend pak kohë më parë ndodhi një ngjarje e ngjashme teksa u shkrumbuan dy automjete në pronësi të shtetasit Erdi Kraja. Këto dy ngjarje sipas policisë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Policia ende nuk e ka zbardhur se kush është autori i asaj zjarrëvënie.

Artikulli paraprakLUFTA NË RRIPIN E GAZËS/ MEDIA: IZRAELI PRANON ARMËPUSHIM 30-DITOR NË KËMBIM TË 11-14 PENGJEVE
Artikulli tjetërSHKODËR/ U PËRPLAS NGA NJË MJET, HUMB JETËN 62- VJEÇARI