Mark Zhuri administratori i njësisë Temal të bashkisë Vau Dejës më parë ish-kryetar i komunes Temal ka denoncuar shefin e komisariatit të policisë së bashkisë Vau Dejës Bardhyl Saliu se gjatë djegies së një parcele të dyshuar me bimë narkotike në Temal, policia ka djegur edhe rreth 25 hektarë pyje.
Përmes një statusi në facebook Zhuri ka njoftuar se rrezikojnë të digjen pyjet e tre fshatrave dhe se zjarri është vënë nga një skuadër e policisë së Vau Dejës, drejtuar nga shefi i komisariatit Bardhyl Saliu, në përpjekje për të asgjesuar një parcelë me kanabis. Sipas administratorit Zhuri zjarri është vënë rreth ores 10:00 dhe ka zgjatur deri në orën 21:00 të darkës të datës 19 korrik. Në statusin e tij administratori i Temalit në bashkinë Vau Dejës Mark Zhuri shkruan:
“Njoftoj banorët e njësisë administrative Temal, të bashkisë Vau Dejës dhe njësive të tjera të ruajnë pronat dhe banesat nga zjarret. Duke marrë shkas nga rritja e tempraturave gjatë kësaj jave, kërkohet vëmendje e shtuar edhe nga zjarret e policisë. Sot në fshatin Malagji, të njësisë administrative Temal një skuadër e policisë së komisariatit Vau Dejës, me shef komisariati Bardhyl Saliu, gjatë djegies se një parcele e dyshuar e mbjellur me bimë narkotike rreth orës 10:00 kanë djegur rreth 25 HA pyje deri në orën 21:00 të datës 19 korrik”.
Administratori Zhuri vijon më tutje duke thënë se: “Rrezikohen të digjen pyjet e tri fshatrave Malagji, Kajvall dhe Telume. Dëmi i shkaktuar nga policia e komisariatit Vau Dejës është katastrofik. Për këtë situatë kam informuar të gjitha instancat e shtetit për krimin e kryer nga shefi i komisariatit të Vaut të Dejës Bardhyl Saliu”, përfundon administratori i Temalit në bashkisë Vau Dejës Mark Zhuri.