
Banesa e shtetasit Blerim Kruja eshte shkrumbuar totalisht nga flakët mbrëmjen e djeshme ne bulevardin “Bujar Bishanaku” ne Shkoder. Nga banesa kanë mbetur vetëm muret, ndërsa gjithçka tjetër është djegur. Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka persona të lënduar. Në momentin e rënies së zjarrit, në banesë ndodhej vetëm i zoti i shtëpisë. Sot, familja Kruja është pa një banesë. Shtatë anëtarët e saj, mes tyre katër fëmijë të vegjël, kanë mbetur në qiell të hapur dhe kanë humbur gjithçka.
Përveç dëmeve të mëdha materiale, sipas burimeve, shqetësim ngre edhe koha e ndërhyrjes. Sipas burimeve, ka pasur vonesë në stakimin e filtrit kryesor të lagjes Dudas. Shkëputja e kabllit kryesor të lagjes nuk është bërë e mundur për rreth 35 minuta, çka, sipas këtyre burimeve, ka penguar ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve dhe ka krijuar rrezik për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Këto janë rrethana që pritet të verifikohen nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të rënies së zjarrit. Kushdo që ka mundësi ta ndihmojë këtë familje, mund ta sjellë ndihmën pranë televizionit Star Plus ose drejtpërdrejt pranë familjes. Në këto momente të vështira, çdo ndihmë është e rëndësishme për familjen Kruja, e cila brenda pak orësh mbeti pa shtëpi dhe pa mundësi strehimi.






