
1 Dhjetori shënon Ditën Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS, një datë e caktuar që prej vitit 1988 për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mobilizuar përpjekjet globale në luftën kundër kësaj sëmundje vdekjeprurëse.
Në Shqipëri gjatë këtij viti janë diagnostikuar 125 raste të reja me Hiv/Aids, duke e çuar në 1973 raste, numrin e përgjithshëm që nga viti 1993 kur u konstatua rasti i parë. Gjatë këtij viti 15 të infektuar humbën jetën. Ndërsa u verifikua një tjetër rast i transmetimit nga nëna te fëmija.
Në ditën Botërore kundër HIV/AIDS, mjekët bëjnë apel që qytetarët të bëjnë teste për parandalimin dhe trajtimin e hershëm së saj, duke qenë se ende nuk ka një vaksinë.
Grupmosha nga 25 deri 44 vjeç rezulton të jetë më e prekura. Sa i përket gjinisë, dominojnë meshkujt me 73 përqind të rasteve. E njejta situatë paraqitet dhe gjatë 2025-ës me 98 meshkuj dhe 27 femra.
Transmetimi përmes rrugës seksuale është arsyeja kryesore e infektimit në 96 përqind të rasteve, ku dominojnë me 72.6 përqind marrëdhëniet heteroseksuale, ndërsa 23.4 përqind marrëdhëniet homoseksuale te meshkujt.
Deri më tani, në Shqipëri kanë humbur jetën 377 persona të prekur nga Hiv/Aids.






