
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, biblioteka “Gjergj Fishta” në Lezhë organizoi një aktivitet letrar, duke mirëpritur shkrimtarët e njohur Namik Dokle, Milena Selimi dhe Lulzim Tafa.Gjatë diskutimit me lexuesit, shkrimtarët u ndalën te rëndësia që libri ka në formimin kulturor dhe intelektual të shoqërisë, duke theksuar se, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes së përdorimit të platformave digjitale, leximi mbetet një vlerë e pazëvendësueshme. Autorët ndanë gjithashtu eksperiencat e tyre krijuese, sfidat e të shkruarit dhe raportin që kanë me lexuesin në kohët moderne, ku konkurrenca me botën virtuale është gjithnjë e më e fortë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili vlerësoi organizimin e këtij takimi dhe u shpreh se Lezha mbetet një ndër qytetet me traditë të hershme kulturore dhe letrare.
Bashkëbisedimi me tre shkrimtarët zgjati rreth dy orë, ku pjesëmarrësit adresuan pyetje të ndryshme, duke u fokusuar te letërsia, procesi krijues dhe sfidat që përballet libri në epokën digjitale.Aktivitete të tilla të organizuara nga Bashkia synojnë të afrojnë më shumë publikun me librin dhe të forcojnë lidhjen mes autorit dhe lexuesit, duke e mbajtur gjallë kulturën e leximit në shoqëri.






