Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Në nderim të kësaj dite kanë ardhur dhe mesazhet e para nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, të cilët shprehin mirënjohje dhe respekt për dëshmorët.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit. Edhe sot pritet të ketë homazhe në nder të tyre.
Kryeministri Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foto të monumentit “Nëna Shqipëri”.
“Mirëmëngjes Shqipëri. Respekt përjetësisht”, shkruan kryeministri Rama.
Presidenti Ilir Meta, me rastin e Ditës së Dëshmorëve nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, shpreh mirënjohjen dhe respektin për Dëshmorët e Atdheut të çdo epoke.
“Sot është dita e Qemal Stafës dhe e mijëra të rinjve dhe të rejave, që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë. Lavdi e përjetshme, nderim, respekt dhe mirënjohjen më të thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut, të çdo epoke”, shkruan Meta.