Muzeu historik i Shkodrës “Oso Kuka” zgjodhi që në ditën botërore të gjuhës amtare të përkujtojë profesor Jup Kastratin, një figurë e shquar, studiues dhe akademik i njohur i cili u nda nga jeta 20 vite më parë. Vajza e Jup Kastratit, studiuesja Diana Kastrati thotë se ky aktivitet nuk është gjë tjetër veçse një nderim për akademikun që me Shkodrën kishte një lidhje shumë të forte.

Ende shumë dorëshkrime të profesor Jup Kastratit nuk janë botuar ende. Vajza e tij thotë se botimet e këtyre figurave të mëdha duhe të dalin në dritë në bazë të një misioni të caktuar të institucioneve përgjegjëse.

Drejtori i muzeut historik Sokol Parmeza thotë se Jup Kastrati është një figurë shumëdimensionale duke u shtrirë në shumë disiplina shkencore.

Jup Kastrati ka shërbyer në arsim për 47 vite. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat “Mësues i Popullit” si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ka qenë shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës . Jup Kastrati ka mbajtur shumë ligjërata shkencore dhe është autor 35 librave.

Artikulli paraprakNDRIÇOHEN RRUGËT E BASHKISË VAU DEJËS
Artikulli tjetërRRËFIMI I VEÇANTË I RUDI VATËS NË STAR KIDS!