
Familja dhe mbështetja sociale kanë qenë në qendër të aktiviteteve të organizuara në Lezhë në kuadër të 15 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Familjes. Institucionet vendore dhe ato të shërbimeve sociale janë angazhuar gjatë gjithë javës me aktivitete ndërgjegjësuese dhe nisma në ndihmë të familjeve dhe shtresave në nevojë.
Përmes takimeve, bashkëbisedimeve dhe aktiviteteve komunitare, përfaqësues të institucioneve kanë përcjellë mesazhe mbi rëndësinë e familjes si baza e shoqërisë dhe nevojën për më shumë kujdes ndaj kategorive vulnerabël.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një panair informues i organizuar në qytetin e Lezhës, ku institucione dhe organizata prezantuan programet sociale, projektet mbështetëse dhe shërbimet që ofrohen për familjet, fëmijët, të moshuarit dhe personat në nevojë. Aktiviteti synoi afrimin e qytetarëve me shërbimet sociale dhe rritjen e informimit mbi mundësitë e mbështetjes në komunitet.






