Nëna e deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi është ndarë nga jeta. Lajmin e ka bërë të ditur vetë deputeti në një postim në rrjetet sociale teksa i ka dedikuar një mesazh prekës. Shalsi thotë se nëna e tij u largua në paqe nga kjo botë e shton se nuk do ta harroje deri sa të ketë frymën e fundit.

Shkrimi i Eduard Shalsit:

Alije Shalsi ( 1938 – 2021 )

Nëna ime e shtrenjtë u largua në paqe nga kjo botë, duke na lënë pas kujtimet e paharrueshme të një jete të denjë, produktive dhe të përmbushur!

Një grua e jashtëzakonshme, një nënë tejet e përkushtuar, një inxhiniere e palodhur dhe pasionante, plot cilësi të admirueshme, që me shembullin e jetës së saj aktive ka qenë një model që nuk ka rreshtur së frymëzuari e së udhërrëfyeri.

Më ke bëre të ndjehem gjithmonë krenar përpara të gjithë atyre që të njohën nga afër. Me kulturën, mirësinë e mënyrën tënde mbresëlënëse të të komunikuarit na dhe shumë mësime të vyera, përgjatë gjithë jetës.

Nuk do të ketë një ditë të vetme, për sa kohë të marr frymë, që mos të të kem në zemër e të të kujtoj me mall, duke qënë fort i bindur, se nga aty lart do ta gjesh, siç ke bërë gjithmonë, mënyrën për të vijuar së më këshilluari e inspiruari…

Thellësisht i trishtuar por edhe pafundësisht i bekuar që pata një NËNË të mrekullueshme si TY!

Prehu në paqe e SHTRENJTA JONË!

“Për shkak të rrethanave të Pandemisë, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të jetë vetëm FAMILJARE.”