
Ditët e kujtesës për viktimat e komunizmit në Shqipëri këtë vit nisën nga Shkodra. Aktiviteti hapës u zhvillua në muzeun e dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, i vetmi në gjithë Shqipërinë. Ky vend në komunizëm shërbeu si burg. Ambasadori i OSBE në Shqipëri Guiod De Sanctis u shpreh se Shqipëria është e nevojshme që të ketë një ditë kombëtare për kujtimin e viktimave të komunizmit dhe një memorial në Tiranë.
“Është një detyrim i joni që ta rijetësojmë të kaluarën, ta mbajmë mend atë dhe të japim edhe drejtësinë për personat që kanë qenë të përndjekur nga e kaluara. Është e nevojshme që në Tiranë të ketë një vend, një memorial dhe një ditë të posaçme për të përkujtuar të shkuarën komnuniste dhe vendet e tjera e kanë bërë dhe përse mos ta keni edhe ju. OSBE është këtu për të nxitur një debat kombëtar dhe për të lehtësuar procesin tuaj në rrugëtimin që keni marrë. Ajo që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës është sepse nuk kanë arritur ta analizojnë siç duhet të kaluarën dhe kjo është një mësim që duhet ta nxjerrim sepse është në rregull që ta dimë të kaluarën edhe pse ndonjë herë është e dhimbshme”.
Marek Mutor, drejtues i Platformës Europiane të Kujtesës u shpreh se Bashkimi Europian në qershor do të ketë një ditë kujtese për viktimat e luftës në Ukrainë, çështje e cila po merr vëmendje edhe në vendet e BE.
“Ndoshta është koincidencë që BE këto ditë ka deklaruar që në mes të qershorit do të ketë një ditë zyrtare për kujtesën e deportimit, zhvendosjes masive sidomos në territoret ruse. Kjo lloj kujtese po fillon edhe në BE dhe është një çështje shumë e rëndësishme për ta kujtuar, duhet ta kujtojmë. Viktimat e meritojnë të kujtohen sepse duke kujtuar atë që ka ndodhur i bëjmë qendresë sistemeve totalitare sot. Është e rëndësishme sepse historia po rikthehet. Shohim në Ukrainë zhvendosjet masive nga ana e rusëve dhe vrasje masive. Puna jonë është e rëndësishme dhe duhet që të kujtojmë”.
Drejtuesja e Institutit për Demokraci Jonila Godole u shpreh se në testet e maturës mungojnë pyetjet për diktaturën duke i lënë të rinjtë të painformuar për të kaluarën ndërsa tha se do vijojë këmbëngulja për caktimin e ditës së kujtesës në Shqipëri sepse shenjat e diktaturës në vendin tonë janë ende të dukshme.
Një mesazh dha edhe kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia dhe Tobias Ruttershoff, drejtues i “Kondrad Adenauer”.
“Duke qenë se në Shqipëri nuk ka ende një datë për kujtimin e viktimave të komunizmit, kjo është pikë thelbësore. Ia vlen që të këmbëngulim sepse synojmë që të kemi edhe një vend të dëshmisë në Tiranë, përveçse ditës së dëshmisë dhe kujtesës”.
Në mjediset e muzeut të dëshmisë dhe kujtesës u hap një ekspozitë me disa prej personazheve që u persekutuan dhe ekzekutuan nga regjime të ndryshme në Europën.


