Debatet dhe akuzat në mbledhjen e partisë socialiste të Shkodrës kanë vijuar edhe me koordinatorët dhe drejtorët rajonal dhe të deleguarit nga qendra Ditmir Bushati.

Ky i fundit mësohet se ka qenë shumë i ashpër me disa prej drejtorëve që ka PS të emëruar në institucione të ndryshme. Bushati ka kërkuar nga ana e tyre angazhimin maksimal e po ashtu disa prej tyre i ka akuzuar drejtpërdrejtë. Ndër më të kritikuarit është drejtori i ALUIZNIT Ardian Dodani duke i thënë se është një ndër ato që po prish imazhin e PS në Shkodër. Edhe disa nga drejtorët të tjerë kanë marrë një dush të ftohtë nga Bushati i cili ka qenë tejet i rreptë në fjalën e tij dhe mbledhjen që ka zgjatur më shumë se një orë. Më përpara në takimin bashkë me koordinatorët e organizatave të PS qytet të pranishmit kanë kërkuar jo vetëm punësim por edhe investime nga ana e qeverisë dhe këto shqetësime ja kanë shfaqur të deleguarit Bushati. Ndër ata që kanë folur janë kryetari i PS në Postribë Jetmir Lumaj i cili më shumë është ndalur tek investimet që duhen se sa punësimi. Po ashtu ndër zërat kritik ka qenë edhe Sokol Cubi, ish-kryekomunari i Pultit i cili ka deklaruar se zona e Dukagjinit është lënë në harresë dhe se banorët atje po humbin besimin dhe se premtimet duhen realizuar. Po ashtu ish-kryekomunari i Rrethinave Luan Harusha ka treguar se punësimet kanë qenë minimale e po ashtu edhe investimet serioze kanë munguar. Përveç ish-kryekomunarit Besnik Brahimit që bëri publike akuzat e tij, një prej atyre që ka kritikuar drejtorët është edhe Xhavit Doniku, anëtar i PS. Në mjediset e jashtme një debat është zhvilluar edhe mes Ernest Palukut kordinator në Vau Dejës dhe kryetarit të PS atje Nikolin Hubaj ku Paluku pretendon se nuk është njoftuar për takimin. Situata në radhët e socialistëve vijon që të mos jetë e mirë dhe duket se riorganizimi do shoqërohet gjithnjë me debate dhe akuza.