Djegia e mbetjeve urbane vijon të jetë një problem shqetësues në qytetin e Shkodrës që po shkakton jo pak efekte negative në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve.

Pavarësisht masave të bashkisë apo Inspektoriatit të Mjedisit, gjendja vijon të mbetet e njëjtë. Edhe gjatë së hënës në zonën e quajtur “Bypassi i Shkodrës” ka vijuar djegia e materialeve të depozituara, një fenomen ky që po ndodh shpesh kohët e fundit. Banorët përreth kësaj zone kanë bërë thirrje të vazhdueshme për pastrimin e mbetjeve, por vetëm në raste të rralla ka patur ndërhyrje. Bashkia nga ana tjetër ka kërkuar ndërgjegjësim më të madh qytetar për parandalimin e këtij fenomeni. Të tjerë shprehen gjithashtu se duhet më tepër bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve në mënyrë që të shmanget ndotja e mëtejshme e ambientit. Një zonë tjetër ku janë shfaqur vazhdimisht probleme është edhe pranë “Varrezave të Dëshmorëve”, ku gjatë muajve të verës, policia raportoi disa raste të djegies së gomave. Raste të tilla kanë qenë të përsëritura në qytetin e Shkodrës edhe pse pak kohë më parë kryeinspektori i mjedisit deklaroi se do të ketë përgjegjës për djegien masive të mbetjeve në çdo cep të qytetit.