Djegia e mbeturinave dhe pafuqia për të ndalur atë katastrofë mjedisore pranë varrezave të dëshmorëve ka detyruar repartin e zjarrëfikësve që të shkojë aty dhe të tentojë shuarjen e vatrave të zjarrit që ndizen kudo në një sipërfaqe të madhe. Për disa orë me radhe një makinë e zjarrëfikëses ka operuar në disa vende të ndryshme për të mundësuar shuarjen e zjarreve. Natyrisht që ardhja shpesh herë e zjarrëfikësve siç shprehen jashtë kamerave efektivët nuk është një zgjidhje që i jep fund këtij problem.

Zjarrëfikëset nuk mund të bëjnë më shumë se sa të ulin për pak kohë dozat e tymit që mbushin shtëpitë e banorëve që jetojnë në atë zonë. Nga sa mësohet pranë varrezave të dëshmorëve kanë bërë një vizitë edhe prefekti Paulin Radovani dhe drejtori rajonal i policisë Lorenc Panganika duke u njohur me situatën e fundit aty. Shqetësues është fakti se sipërfaqet që po përfshihen nga flakët çdo ditë e më shumë po zgjerohen duke e bërë edhe më kritike gjendjen atje. Apeli i prefektit Radovani disa kohë më parë dhe zotimi i tij se policia do të procedojë penalisht ata që hedhin aty mbeturinat dhe ata që ndezin zjarret nuk ka bërë efekt. Harta e zjarreve sa vjen e përhapet gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër policia por edhe strukturat e tjera të institucioneve duket se e kanë neglizhuar dhe kanë lejuar që persona të papërgjegjshëm të vijojnë që jo vetëm të hedhin mbeturina aty por edhe t’i djegin pa u shqetësuar nga askush. Natyrisht që dëmi mjedisor që shkaktohet është tejet i madh ashtu siç edhe efektet në shëndetin e banorëve që jetojnë pranë varrezave të dëshmorëve janë konsiderueshëm negative. Nëse policia dhe institucionet e tjera nuk marrin masat e duhura atëherë shumë shpejt djegia e mbeturinave do të kthehet në një kërcënim serioz dhe pasojat mund të vijojnë të kenë ndikim për vite me radhë.