Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë përuruar hapësirën më të re të industrisë kreative, “Micro Folie”, në kryeqytet, e cila synon të afrojë më shumë të rinjtë dhe fëmijët me teknologjinë dhe artin.

Sipas Ramës, ky projekt, dedikuar industrisë kreative është krijuar në Francë por tashmë do të hap siparin në Tiranë si Kryeqyteti Europian i Rinisë.

“Mirëmbrëma të gjithëve!

Më vjen jashtëzakonisht mirë që u arrit të hapet tamam në fillim të këtij vitit që është viti i Tiranës, “Kryeqyteti i Rinisë” e që është viti të cilin ne duam t’ia dedikojmë në tërësi rinisë dhe fëmijëve. Kjo strukturë e cila vjen nga Franca ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Francë duke ju krijuar mundësi të gjithë fëmijëve dhe më të rinjve që të mund të vizitojnë kryeveprat e artit botëror dhe kryeveprat e artit që gjenden në muzeumet e Francës, përmes një vizite dixhitale e cila sjell tek fëmijët, sjell tek më të rinjtë ato të cilat jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë t’i vizitojnë edhe në Francë e jo më ne që jemi larg që aty, por kjo është e para.

Ne do të krijojmë një zinxhir hapësirash, strukturash të tilla ku siç e shikoni përzihet bashkë me mundësinë e vizitës digjitale, në korridoret më të magjishme të artit edhe mundësia për të bashkëvepruar për gjithë këto mikroaktivitete që gjenden në të gjithë këndet e kësaj strukture dhe që krijon e tëra një mundësi të re shoqërizimi, një mundësi të re ndërveprimi për fëmijët dhe për më të rinjtë.
Ne po punojmë që paralelisht me strukturat e “micro folive” të sjellim dhe një risi tjetër me Ministrinë e Lulturës, që është risia e një autobusi të madh lëvizës për spektakle në komunitete, një autobus i madh lëvizës që çon në komunitete operan, që çon në komunitete muzikën, teatrin, veprat, duke i bërë ato më të aksesueshme por dhe më të afërta me njerëzit në komunitet. Së shpejti do të sjellim autobusin e parë, por jo të vetmin dhe me “micro folitë” nga njëra anë e me autobusët e spektakleve besoj që do t’i japim një shtysë gjallërie hapësirës mes fundit të mësimit dhe vajtjes në shtëpi, hapësirës së kohës së lirë, që kemi vendosur që të bëjmë çmos që ta mbushim me sa më shumë aktivitete e me sa më shumë mundësi për fëmijët dhe për më të rinjtë.

Për ata që na ndjekin, “micro folia” e parë është këtu në parkun e Kryeministrisë, mbrapa godinës së Kryeministrisë. Jam i bindur që do ketë shumë kërkesa sepse kështu ka ndodhur dhe në Francë dhe siç e tha Erioni, do bëhet e gjitha e organizuar me rezervime në mënyrë që të jetë sa më e bukur dhe sa më e jetueshme në momentin kur vijnë fëmijët dhe të mos bëhet një rrëmujë e atillë që pastaj askush të mund të mos bëj dot asnjë aktivitet dhe ndërkohë tu jepet mundësia sa më shumë fëmijëve që ta vizitojnë dhe pse jo edhe të rikthehen pasi ta kenë vizituar.
Faleminderit për organizmin dhe për vënien në lëvizje pa humbur kohë të kësaj nisme dhe ka shumë besim që më shpejt se sa vonë, do shikojmë dhe “micro folinë” e dytë, të tretën e kështu me radhë edhe në pjesë të tjera të Tiranës por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Faleminderit!”, tha Rama.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se si kjo qendër e parë që u hap në lulishten pas Kryeministrisë, do të ketë edhe të tjera në çdo cep të Tiranës.

“Që kur Kryeministri më tha përpara Vitit të Ri që kishte parë një koncept fantastik në Francë, ku praktikisht nga 5 kutiçka të vogla që mund të futen në një furgon hapet i gjithë ky ambient, si një tendë kryesisht për fëmijët që kanë dëshirë të merren me hapësirën digjitale, të shikojmë se si mund të bëjnë gjëra kreative me duart e tyre, me mendjen dhe fantazinë e tyre jam shumë i lumtur sot që arritëm ta sillnim këtë projekt nga Parisi në Tiranë. Micro Folie është ekzaktësisht ajo që ndoshta nuk e kemi në shtëpitë tona, ku shpesh herë na thonë: “mos e prek”, “mos e ngacmo”, “mos e prish këtë”! Këtu, në fakt çdo gjë lejohet. Kreativiteti, fantazia, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, përdorimi i mureve, printimi, qepja, të gjitha lodrat lejohen, ndaj dhe do doja shumë që ne këtë pilot të parë të cilin kryeministri insistoi ta bënim në zemër të Tiranës, ta trajtojmë si një histori suksesi që ne duam ta replikojmë edhe në Laprakë, Kombinat, edhe në Kinostudio, Sauk dhe në çdo cep të Tiranës e ndoshta edhe në çdo cep të Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.

“Micro Folie” përfshin muze digjital, laborator dhe lojëra me qëllim informimin, edukimin dhe argëtimin e fëmijëve dhe të rinjve me artin vendas dhe botëror.

Artikulli paraprakREKORD INFEKTIMESH NË JAVËN E 96 TË PANDEMISË, 11 MIJË INFEKTIME, SHTRIMET MBESIN NË VEND
Artikulli tjetër“TI KE QENË VAKSINA JONË E LUMTURISË”, DJALI I ALBANIT DHE MIRIAMIT FESTON SOT DITËLINDJEN