SHBA

Donald Trump është larguar nga detyra e tij dhe së bashku me familjen ka hipur në avionin presidencial Air Force One. Fillimisht nën ritmet e këngës “Gloria” (Lavdi) të Laura Branigan ai ka mbërritur në bazën ushtarake së bashku me bashkëshorten Melania, ku është pritur nga mijëra mbështetës. Një mesazh i fundit nuk ka munguar, teksa Trump ka folur për rikthim.

Ai bëri një rezyme të shpejtë të punës së bërë, të cilën e quajti të mrekullueshme dhe tha se kishte qenë privilegji më i madh të jetë presidenti i amerikanëve.

“Kemi bërë shumë gjatë udhëheqjes sonë. Duhet t’i japim dashurinë e shprehim respekt për ata që kanë vuajtur gjatë pandemisë apo kanë humbur familjarët e tyre. Jeni fantastikë, të mrekullueshëm. Ka qenë privilegji më i madh të jem presidenti juaj, ky është një vend i mrekullueshëm.
Unë do t’ju dëgjoj gjithmonë, do t’ju vëzhgoj gjithmonë. E ardhmja e këtij vendi s’ka qenë asnjë herë më mirë sesa gjatë administratës sonë.
Ju duam shumë, do të rikthehemi në një farë mënyre. Dua të falënderoj zv/presidentin Pence, i cili ka punuar mjaft mirë në kongres, të gjithë njerëzit. Ju uroj një jetë të mirë, do të rishihemi së shpejti”, tha Trump.
Më pas ai është përshëndetur me stafin, familjarët e tij dhe ka ngjitur shkallët e “Air Force One” me Melania Trump për t’u larguar në rezidencën private në Florida.