Edhe pse Shqipëria është një nga vendet më të pasura të Europës përsa i përket burimeve ujore për frymë popullsie, parashikimet për vendin tonë janë të zymta. Organizata Botërore e Ujërave Natyre në raportin më të fundit thekson se Shqipëria do të vuajë për ujë pas rreth 20 vjetësh.

Në një artikull të ‘The Economist’ që bazohet në të dhënat e publikuara nga OECD, vendi ynë renditet në zonën e kuqe. Harta e studimit tregon se 40 deri në 80 përqind të popullsisë sonë pritet të vuajë për ujë.

Sipas artikullit, arsyet e kësaj thatësire janë: shfrytëzimi i ujit pa kriter, ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë botërore. Ndër vendet e rajonit, Greqia pritet të rrezikohet më shumë ndërsa në botë do të jenë vendet në Emiratet e Bashkuara dhe Afrika e Veriut. Sipas OECD, vitet në vijim më shumë se gjysma e njerëzimit do të jetojë në zona që do të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.