
Në ambientet e bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit promovoi librin e ri dokumentar me titull: “Dokumente për Kryengritjen e Postribës 1946–1948”, me autor studiuesin Florin Zyberaj.
Botimi i dedikohet Kryengritjes së Postribës të 9 shtatorit 1946, e njohur si një nga qëndresat e para popullore kundër regjimit komunist në Shqipëri. Permes një kërkimi të imtësishëm arkivor, ky vëllim sjell për herë të parë për publikun dhe studiuesit 81 dokumente zyrtare autentike, të marra nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Libri strukturohet në dy pjesë kryesore që zbardhin mekanizmin e represionit shtetëror të kohës. Dokumentet e zbardhura shërbejnë si një dëshmi e fortë historike për të ndriçuar njërën nga ngjarjet më me peshë të rezistencës antikomuniste në veri të vendit.


