Statusi i Dom Artur Jakut

“550 vite pas shuarjes së heroit, vulë e historisë tonë gjithë ç’përmendim njëzëri është fakti se në 25 vite lavdie, vendi i Arbrit, u bë pikë referimi për Europën e kohës. Atleti i Krishtit arriti në pak kohë të ngrejë një fortesë të pathyeshme, bazuar në unitet, vendime të matura e zgjuarsi udhëheqësi. 550 vite më vonë, vendi i Arbrit nuk ka mundur ta kalojë lavdinë e tij, as të shenjojë si ai e sa ai historinë e Europës.

Në më shumë se 100 vite shtet, pasardhësit e Arbrit janë ende kaotikë dhe brenda ngrehinës së konceptit të shtetit, qëndrojnë shtylla në lëkundje. Ose siç do e quante Martin Camaj “nji zog lëngon për vdekje mbi bar”. Ironikisht, në leximet e dorëshkrimeve të 100 viteve më parë lexojmë Shqipërinë e sotme.

Si tek Dom Lazër Shantoja, që duket sikur nga lart, i Lumi na hap sytë se ku jetojmë. Në një shkrim të tij tek “Ora e maleve” më 1924 vë paralele mes zyrtarëve dhe parazitëve; përmend burokratizmin qesharak, që pengon edhe ato pak punë që nisin. Thotë se mjafton me vrojt gjykatat për me i qujt pezullore, tuj kenë se çështjet e lana pezull janë ma shumë se të gjykumet. Flet për zyra që duken si kafehane, e për rroga që e bëjnë Shqipninë Eldoradon e zyrtarëve, si me kenë gurrë pasunije.

Dhemb kur shkrun se punonjësit janë rob të parisë e servilizmit e jo të ligjës. A e dini ç’janë kacalecat? Insektet që dëmtojnë arat, për çka Dom Lazri pyet nëse ata, kacalecat pra, do e shporrnin njëri-tjetrin që të mos dëmtohet ara. E në fund, Dom Lazri përmend karvane gjindsh që vijnë nga Stambolla, bahen kolonela, e deri ministra, pa ditë as me fol e me shkru si duhet shqip.

Profetike thënja e Pjetër Pepës “që t’shpëtojmë nga shterpësia jonë shpirtnore, duhet të lidhena prapë me të vdekunit tanë të mdhaj”. Le ta kujtojmë 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit, sepse e mbajti të pagandueme fizionominë fisnike të shpirtit shqiptar. Ai jetoi në Motin e madh- mot si ai s’kemi mbrritë ma.”