Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar sot (12 shkurt 2025) një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, e cila ka zgjatur rreth një orë e gjysmë. Fillimisht, lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e CNN, Kaitlan Collins. Më pas, Trump, në një postim në platformën e tij Truth, ka deklaruar “sapo pata një telefonatë të gjatë dhe shumë produktive me presidentin rus Vladimir Putin. Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe shumë tema të tjera”. Sipas Kremlinit, të dy liderët kanë rënë dakord që të fillojnë menjëherë negociatat për situatën në Ukrainë. Trump tha se do të kontaktojë menjëherë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për ta informuar mbi bisedën. Ai ka caktuar Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Michael Ëaltz dhe ambasadorin Steve Ëitkoff si përfaqësuesit amerikanë në këto negociata. Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, Putin ka ftuar Trumpin për një vizitë në Moskë.

Postimi i plotë i Donald Trump në Truth Social:

Sapo pata një telefonatë të gjatë dhe shumë produktive me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe çështje të ndryshme të tjera. Të dy reflektuam mbi Historinë e Madhe të Kombeve tona dhe mbi faktin që luftuam me shumë sukses së bashku në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar se Rusia humbi dhjetëra miliona njerëz, dhe ne, po ashtu, humbëm shumë! Folëm për forcat e kombeve tona përkatëse dhe për përfitimin e madh që do të kemi një ditë duke punuar së bashku.

Por, para së gjithash, siç ramë dakord të dy, duam të ndalim miliona vdekje që po ndodhin në Luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Putin madje përdori moton shumë të fuqishme të fushatës sime, “ARSYE E SHËNDOSHË” (COMMON SENSE). Ne të dy besojmë fuqishëm në këtë parim. Ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, përfshirë vizitat në vendet e njëri-tjetrit. Po ashtu, kemi rënë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat dhe do të fillojmë duke telefonuar Presidentin Zelensky të Ukrainës për ta informuar mbi këtë bisedë, diçka që do ta bëj tani.

Kam kërkuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Drejtori i CIA-s John Ratcliffe, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Waltz dhe Ambasadori dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff që të udhëheqin negociatat, të cilat, kam një bindje të fortë, do të jenë të suksesshme. Miliona njerëz kanë vdekur në një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha President, por ndodhi, prandaj duhet të përfundojë. Nuk duhet të humbasin më jetë!

Dua ta falënderoj Presidentin Putin për kohën dhe përpjekjet e tij në lidhje me këtë telefonatë, si dhe për lirimin, dje, të Marc Fogel, një njeri i mrekullueshëm, të cilin e prita personalisht mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë. Besoj se ky përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë, së shpejti!

Artikulli paraprakZV.KRYETARI I BASHKISË SHKODËR RUDIN BEKA, TAKIM ME NJË PËRFAQËSI TË TREGTARËBE TË RUSIT
Artikulli tjetërRAMA SËRISH NË “SY MË SY”: SHQIPËRIA 2030 DO JETË NË BE, ME DREJTËSI TË PAVARUR