Donald Trump sapo ka dalë nga Trump Tower dhe është nisur drejt ndërtesës së gjykatës në Lower Manhattan. Trump pritet të njihet me akuzat që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë $ të bërë në 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës që dyshohet se ka pasur me të në 2006-ën. Menada Zaimi, në një lidhje live nga SHBA tha për Abc News, se seanca e sotme pritet të jetë e shkurtër pasi ai do të japë shenjat e gishtërinjve dhe më pas do të dëgjojë akuzat ndaj tij. “Sot pritet të jetë një seancë e shkurtër. Do të marrë kohë vetëm leximi i akuzave të Trump. Zoti Trump tashmë ka lënë Kullën Trump dhe po i drejtohet zyrave të prokurorisë dhe më pas do të dalë para gjykatësit. Ky është momenti ku shpalosen për herë të parë edhe akuzat dhe më pas gjykatësi do të kërkojë nëse do t’ia lexojë akuzat dhe nëse bëhet fjalë për një numër të madh, mund të mos lexohen. Është bërë e qartë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat që mund të ketë ngritur prokuroria e Manhatanit. Mediat kanë aluduar se bëhet fjalë për 34 akuza.

Një pjesë e këtyre akuzave mund të jenë shkelje administrative dhe mund të ketë një ose disa akuza penale.”, tha gazetarja. Ish presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhattanit. Trump pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve si pjesë e procedurës. Më pas, ish presidenti do të dalë përpara gjykatësit ku edhe do të njihet zyrtarisht me akuzat që janë ngritur ndaj tij nga prokuroria. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar në rrjetet sociale, teksa i drejtohej Gjykatës së Manhatanit. Në “Truth Social”, Trump u shpreh se kjo që po i ndodhte i dukej surreale dhe nuk i besohej se diçka e tillë po ndodh në SHBA, shkruan CNN.

“Duke u nisur për në Gjykatën e Manhatanit. Duket kaq surreale, ata do të më arrestojnë. Nuk mund të besohet se kjo po ndodh në Amerikë”, shkroi Trump.

Pasi ka mbërritur në gjykatë, Donald Trump është zyrtarisht nën arrest. Ish presidenti pritet të njihet me akuzat që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë $ të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që dyshohet se ka pasur me të në 2006-ën.

Artikulli paraprakPD PA LISTA PËR KËSHILLTARË NË 4 BASHKI, 16 KANDIDATË TË NJOHUR PËR KRYEBASHKIAK ENDE TË PAKONFIRMUAR!
Artikulli tjetërBERISHA I PËRGJIGJET AMBASADORES AMERIKANE