Mirela Ferracaku mund të jetë deputetja më e re e Parlamentit të Shqipërisë. Nën siglën e partisë së deputetit të dorëhequr tashmë Mark Frroku, Ferracaku ka një shans për të qenë pjesë e Kuvendit.

Ndonëse në listë në partinë e PKDSH është vëllai i Mark Frrokut, Arben Frroku, ky i fundit ndodhet jashtë Shqipërisë dhe tashmë sipas formulës Mirela Ferracaku duhet që të marrë mandatin e deputetës. Edhe pse e ka si një mundësi, Ferracaku aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë. Ajo prej dy vitesh është vendosur në Gjermani për shkak të një operacioni në këmbë. E gjendur në këtë situatë, nga Gjermania Ferracaku rrëfehet se i është bërë e ditur se mund të jetë deputetja më e re në Parlament por ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë duke qenë se kjo mundësi i ka ardhur papritur pas dorëheqjes së Mark Frrokut. Jeta e saj thotë vetë Ferracaku tashmë është e lidhur me Gjermaninë edhe për shkak të gjendjes shëndetësore kështu që ende nuk ka vendosur asgjë dhe është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë. “Po është e vërtetë që Mark Frroku është dorëhequr dhe këtë e mora vesh. Për mua ishte disi e papritur dhe aktualisht nuk e kam idenë se çfarë do të bëj, nëse do ta pranoj apo jo. Realisht është një vendim i vështirë sepse të tilla janë kushtet që kam në këto momente. Prej dy vitesh unë kam ardhur në Gjermani. Deri tani kam bërë 4 ndërhyrje kirurgjikale në këmbë. E fundit ka qenë para tre muajve.Për fatin e mirë më kanë dalë me sukses dhe për këtë falenderoj mjekësinë gjermane. Jeta ime për mometin është këtu në Gjermani dhe unë nuk e di çfarë të them. Realisht pres nga Shqipëria një telefonatë të rëndësishme dhe nuk mund ta zbuloj se për çfarë bëhet fjalë duke qenë se lidhet me çështjet e mia personale. Jam ende në dyshim dhe akoma nuk kam vendosur asgjë. Do ta mendoj këtë gjë dhe në një të ardhme të shpejtë pasi të bisedoj edhe me familjen time dhe pasi të kryej telefonatën kam për të vendosur. Të them të drejtën nuk e kam menduar ndonjëherë se më vjen kjo mundësi ndaj edhe nuk kam si të marr një vendim në mënyrë kaq të shpejtë. Duke parë e duke bërë. Sapo të vendos mbi të ardhmen time patjetër që të gjithë do ta marrin vesh”. Mirela Ferracaku pritet që brenda një kohë prej jo më shumë se dy javësh të vendosë nëse do ta pranojë apo jo mandatin e deputetes dhe vendimarrjen e saj do ta bëjë publike.

Artikulli paraprakMIRELA FERRACAKU, DO TË MARRË MANDATIN E FRROKUT
Artikulli tjetërSHKODËR, DIGJET BANESA NË LAGJEN “AHMET HAXHIA”