Teksa priten rezultatet e para të procesit të Vettingut për gjyqtarë e prokurorë, Gjykata Kushtetuese rrezikohet nga bllokimi pasi një prej anëtarëve të saj Besnik Imeraj këtë të mërkurë ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra.

Dorëheqja e Imerajt e ka çuar në 6 numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke rrezikuar në këtë mënyrë kuorumin që i duhet kësaj gjykate për një vendimarrje. Por burime nga gjykata kushtetuese bënë me dije se dorëheqia e Imerajt s’do të jetë e vetmja, pasi një tjetër gjykatës pritet ta dorëzojë dorëheqjen brënda pak ditësh. Në rast të një dorëheqje të dytë, atëherë Gjykata Kushtetuese do të bllokohej pasi do të shkonte në 5 numri duke mos krijuar as kuorumin që duhet për një vendimarrje. Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9-të anëtarë me mandate 9 vjeçar por me këtë dorëheqje ajo ka mbetur me 6 anëtarë. Besnik Imeraj prej prillit 2013 është anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ligjërisht mandati i tij mbaronte në prill të vitit 2022, por ai ka vendosur të largohet 4 vite para mbarimit të mandatit në këtë gjykatë.

Dorëheqja e Imerajt është pranuar nga mbledhja e gjyqtarëve dhe vendimi për pranimin e kësaj dorëheqje i është përcjell për dijeni presidentit dhe parlamentit institucione të cilat duhet të bëjnë zëvendësimin jo vetëm të këtij gjyqtari por të tre vakancave të krijuara. Imeraj është diplomuar për drejtësi në vitit 1977 dhe ka shërbyer si gjyqtar në Elbasan, Durrës dhe si anëtarë e gjykatës së lartë.