Mark Marku nuk do të jetë deputet i Kuvendit të ri dhe as nuk do të shkojë në Këshillin Kombëtar të PDsë. Dorëheqja e fortë u lajmërua me një shkrim ekskluziv për gazetën “Panorama”. I zgjedhur si deputet pasi drejtoi fushatën e PD-së në Lezhë, Marku është tejet i qartë në arsyet e dorëheqjes, që kanë të bëjnë të gjitha në vizionin e opozitës. Ai sqaron “etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme të PD-së në një rutinë humbëse”, duke qartësuar me argumente se Basha është thjesht “kryetar i partisë së Berishës”. “PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”, shprehet Marku duke shfaqur pakënaqësitë e tij për lidershipin e PD dhe këtë forcë politike për situatën në të cilën ndodhet aktualisht. Më tej deputeti i dorëhequr tashmë i PD thotë se: “Edhe në publik, është lajmëruar mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila do të mbahet më datë 30 gusht. Me sa shihet nga axhenda e dërguar, nga kjo mbledhje do të dalin organet drejtuese të PD-së, që, sipas statutit, zgjidhen nga ky këshill. Përves kësaj, në axhendë nuk parashikohet asgjë tjetër. Është dëshpëruese të vëresh se ngado ta shqyrtosh çështjen, të gjitha aksionet politike të përcaktuara nga lidershipi i PD-së vazhdojnë rutinën e humbësit. Pra, tre muaj pas maskaradës zgjedhore të 25 prillit, lidershipi i PD-së nuk jep asnjë përgjigje për atë se çfarë do të ndodhë në Parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe se cili do të jetë aksioni opozitar në Parlamentin e ri”, thotë Marku. Mes rreshtash, vijon duke thënë se: “Demokracia ra, shoqëria u dorëzua, partitë (opozitare) dështuan, hajduti u bë mbret. Etapa e dytë e rënies: Fushata për zgjedhjen e kryetarit të PD-së. Fushatë pa vizion, pa alternativë, pa perspektivë rrugëdalje nga kriza, pa perspektivë të ardhjes në pushtet, pa një platformë ndryshimi, pa brejtje ndërgjegje për gjendjen e popullit opozitar dhe sakrificat e tyre, pa ndjesë për dy humbjet, pa qoftë edhe një shkëndijë shprese për rrugën e ardhshme drejt pushtetit nga asnjëri prej kandidatëve. Lulzim Basha fitoi thjesht për rutinë, pasi në partitë shqiptare ku secili avancon në karrierë politike për shkak të servilizmit ndaj kryetarit, askush nuk mund ta konkurrojë kryetarin, aq më tepër në rastin e PD-së, ku, siç rezultoi më vonë, përtej kryetarit ka kryetar më të fuqishëm se kryetari”. Në fund Mark Marku thotë se kjo dorëheqje e tij është një alarm për PD dhe se do vijojë opozitën jashtë kësaj partie derisa PD të kthehet në atë parti që presin të gjithë.