Michael Flynn, këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit të SHBA-ve ka dhënë dorëheqjen nga ky post.

Funksionari i lartë i Trump u akuzua se ka gënjyer për telefonatat me ambasadorin rus, ku siç raportohet, kanë diskutuar për heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Rusisë. Ish-këshilltari Flynn, ka paraqitur dorëheqjen e tij bashkë me një letër, ku shpjegon arsyet e dorëheqjes. Ai ka pranuar se nuk i ka raportuar të gjitha bisedimet me ambasadorin rus, te presidenti dhe zv./presidenti amerikan dhe ka kërkuar falje për këtë. Gjithashtu në letër Flyn thotë se ndihet i nderuar që i ka shërbyer vendit dhe që ka qenë pjesë e administratës së Trump, i cili në vetëm 3 javë e ka orientuar politikën e jashtëme amerikane, në mënyrë themelore drejt rivendosjes së pozitës udhëheqëse të Amerikës në botë. Michael Flynn e mbyll letrën e tij të dorëheqjes duke theksuar se presidenti Trump dhe administrata e tij do të hyjnë në histori si një nga presidencat më të mëdha të SHBA-së dhe do t’ia dalë ta bëjë Amerikën të madhe sërish.