Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të parevokueshme pranë ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro
Në letrën e gjatë të dorëheqjes, të bërë publike nga vetë Universiteti i Shkodrës, Gjuraj rendit një sërë arsyesh që, sipas tij, e kanë bërë të pamundur vijimin e mandatit në krye të universitetit. Në thelb të argumentimit të tij qëndron akuza për ndërhyrje në autonominë universitare, vendimmarrje të paligjshme nga Bordi i Administrimit dhe mosrespektim të rekomandimeve të institucioneve shtetërore.
Gjuraj thekson se mandati i tij buron nga vota e komunitetit akademik dhe se roli i rektorit duhet të ushtrohet i pavarur nga çdo ndikim politik apo administrativ. Ai shprehet se që prej marrjes së detyrës ka synuar transformimin institucional të universitetit, bazuar në transparencë, përgjegjshmëri dhe respektim të autonomisë universitare.
Një nga pikat më të forta të letrës lidhet me kundërshtimin e vendimit të Bordit të Administrimit për emërimin e administratorit të universitetit, vendim që rektori e cilëson të papranueshëm. Sipas tij, bordi ka ndërmarrë edhe veprime të tjera pa bazë ligjore, përfshirë shtyrjen e moshës së pensionit për administratorin në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese.
Po ashtu, Gjuraj akuzon Bordin e Administrimit se ka injoruar raportin përfundimtar të grupit të punës të ngritur nga Ministria e Arsimit për të verifikuar procedurat e konkursit për punësimet administrative në universitet gjatë vitit 2025. Sipas tij, raporti ka konstatuar se shpallja për punësim e miratuar nga bordi ishte e pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.
Në letër ngrihen edhe pretendime për pagesa preferenciale të honorareve të projekteve, të kryera sipas rektorit pa vendime të Bordit, pa filtrin shkencor dhe pa certifikimin institucional të nevojshëm.
“Unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej Bordin e Administrimit, ndërsa ata kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shkruan Gjuraj në një nga pasazhet më domethënëse të letrës së dorëheqjes.
Në përfundim, ai kërkon nga ministrja e Arsimit zbatimin e procedurave të parashikuara në ligjin nr. 80/2015 për të garantuar funksionimin normal të universitetit pas largimit të tij. Gjuraj shpreh gjithashtu mirënjohje ndaj studentëve, stafit akademik dhe qytetarëve të Shkodrës, duke kërkuar ndjesë që projekti i transformimit të universitetit, sipas tij, mbeti në mes për shkak të pengesave institucionale.
Me largimin e Tonin Gjurajt, Universiteti i Shkodrës humbet një nga figurat më të njohura të jetës akademike dhe publike në vend. Profesor, studiues dhe ish-ambasador, Gjuraj mori drejtimin e universitetit me premtimin për të rritur transparencën, cilësinë akademike dhe autonominë institucionale.

Artikulli paraprakZVËRNECI. SPAK: BLLOKOHEN 128 MILIONË EURO TRANSAKSIONE
Artikulli tjetërDITA BOTËRORE KUNDËR SHFRYTËZIMIT TË FËMIJËVE PËR PUNË