Dorëzimi i armëve, 15 raste në 24 orët e fundit

Policia e Shtetit nuk ka një shifër të saktë të armëve ilegale në duart e qytetarëve, por thotë se procesi i dorëzimit vullnetar po ecën me ritme të kënaqshme. “Rreth 40 deri në 50 për qind të armëve janë rikthyer në depot e shtetit. Një pjesë e armëve kemi informacione se janë trafikuar, ndërsa një pjesë tjetër janë dëmtuar gjatë periudhës mbi 10-vjeçare që kanë kaluar. Nëse shohim mesatarisht, gjatë këtyre ditëve kemi patur 6 deri në 8 armë në ditë. Vetëm në 24 orët e fundit ka patur 15 armë”, deklaron Albert Dervishaj, drejtor i Rendit Publik. Por në komisariatet e policisë nuk po dorëzohen vetëm armë që kanë dalë nga depot e ushtrisë në vitin 1997. “Kemi pasur një rast këto ditë, kur është dorëzuar një pistoletë amerikane me silenciator në mënyrë vullnetare nga një shtetas. Nuk është armë e vitti ’97, gjë që tregon se njerëzit janë përpjekur të sigurojnë armë të ndryshme, sidomos ata që kanë patur konflikte apo problematika të tjera”, thotë Dervishi. Aminista për dorëzimin e armëve ka hyrë në fuqi prej një jave dhe do të zgjasë deri më 30 prill.