Gjykata Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsion rrëzon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për mbylljen e hetimeve për aktin terrorist në ndeshjen e futbollit Shqipëri- Izrael më 12 nëntor të vitit 2015 dhe i lë afat edhe 3 muaj të tjetë për të kryer hetime më të plota.

Në një vendim marrë javën e kaluar, GJKKO vendosi t’ia kthejë dosjen SPAK për të vijuar hetimin, ndërsa nuk ka lënë pas edhe kritikat ndaj procesit të hetimit. “SPAK nuk ka kryer asnjë veprim dhe çështja nuk duhet të pushohet”, është shprehur gjykata.

Asnjë nga 4 personat që u arrestuan, nuk është në qeli, përfshirë edhe berberin shkodran, Ergys Faslia. Po ashtu, të lirë janë edhe Xhezair Fishti, Medat Hasan dhe Bekim Protopapa, me profesion mjek, të gjithë besimtarë myslimanë.

Çështja u nis fillimisht nga prokurori Eugen Beci, por sipas GJKKO, SPAK nuk ka kryer asnjë veprim plotësues hetimor.

Më 4 nëntor 2019, Prokuroria për Krime të Rënda që drejtohej nga Donika Prela, kishte kërkuar pushimin e hetimeve për të arrestuarit, të dyshuar në skenarin për vendosjen e tritolit në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, që do zhvillohej në stadiumin “Loro Boriçi”në Shkodër.

Pas arrestimit, Ergys Faslia, qëndroi 1 vit në burg dhe më pas, në nëntor 2017, u la i lirë për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Ai dhe të arrestuarit e tjerë, u hetuan në gjendje të lirë.

Përpara ndeshjes në “Loro Boriçi”, shërbimi sekret izraelit Mossad, i dha informacion autoriteteve shqiptare për lidhje të dyshimta të katër shqiptare me një celulë në Kosovë, e cila mbante kontakte direkte me Lavdërim Muhaxherin në Siri, i cilësuar si komandant i shqiptarëve brenda IS-it.

Akuzat për të cilat hetoheshin katër personat ishin “vepra me qëllime terroriste”, “kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” si dhe “pjesëmarrëse në organizatë terroriste”.

Artikulli paraprakNË MAKINË ME 35 KG DROGË, SHQIPTARI TENTON ARRATISJEN, PËRPLASET ME 3 MAKINA
Artikulli tjetërPROKURORIA: T’I HIQET MANDATI KËSHILLTARIT SOCIALIST NË BASHKINË KAMËZ, FSHEHU DY DËNIME NË ZVICËR