Hetimet për dosjen e abuzimeve te Rrugët, pas arrestimit të Dashamir Xhikës, Andi Tomës dhe 9 personave të tjerë, arrijnë edhe në nivele të larta. Burime  pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan se një ish-ministër është nën hetim për korrupsion. I njëjti burim saktëson se ish-ministri që po hetohet është ai i LSI, Edmond Haxhinasto, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Transporteve për tre vite radhazi.

Ai u emërua ministër i Transporteve në shtator 2013, ndërsa dha dorëheqjen në shtator 2016. Në vend të tij u emërua Sokol Dervishaj. Ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto po hetohet për abuzimet me rrugën Tiranë- Elbasan e cila edhe pse ka nisur të ndërtohet që në vitin 2011, ende nuk ka përfunduar, ndërsa nuk kanë munguar fondet nga buxheti i shtetit për këtë segment. Për këtë dosje Krimet e Rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro. Edhe KLSH zbuloi shkelje në vitin 2016 për Tiranë-Elbasan dhe keqmenaxhim të projektit, por Ministria e Transporteve nuk mori masa. Hetimet për shkelje në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan i udhëheq prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj. Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë. Ndërkohë, Prokurorët janë duke shqyrtuar çështjen e rrugës së Gjinarit dhe atë Tiranë-Elbasan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Një ditë më parë, prokurorja Elisabeta Imeraj kërkoi arrest me burg për Dashamir Xhikën dhe Andi Tomën pikërisht për abuzime në Tiranë-Elbasan. Por për Dashamir Xhikën të njëjtën ditë gjykata e Elbasanit konfirmoi një tjetër masë sigurie me burg, për dosjen e rrugës Elbasan-Gjinar ku përllogaritet një dëm në buxhetin e shtetit prej 5.3 miliard lekë. Padia e Gjiknurit ndaj Xhikës për Tiranë-Elbasan Kallëzimi i ministrit Gjiknuri në 2017 erdhi pas një auditi të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku sipas tij është konstatuar një dëm prej 54 milionë dollarësh ndaj shtetit mbi zbatimin e kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Përveç, Dashamir Xhikës, Ministri Gjiknuri kallëzoi pranë Prokurorisë për Krime të Rënda edhe dy ish-Drejtorët e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Sipas kallëzimit, këta persona kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan.

Artikulli paraprakMAKINA PËRPLAS TRE QYTETARË: VDES NJË GRUA, DY TË TJERËT RËNDË
Artikulli tjetërKAPET 35-VJEÇARI ME 30 DOZA HEROINË