I hapet rruga zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës që kërkon ligji i ri i miratuar si pjesë e reformës në drejtësi.

Ajo që mbante të bllokuar zgjedhjen e pasuesit të Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës ishte mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ i cili hap garën për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, vlerëson kandidatuarat dhe i paraqet kuvendit 3 kandidaturat më të vlerësuara.

Por ngritja e këtij këshilli u vonua për shkak të mungesës së interesit nga shoqëria civile e cila ka 3 anëtarë, pjesë të tij. Edhe kandidatët e paraqitur pranë Avokatit të Popullit nuk i plotësonin kriteret.

Por kjo çështje duket se është zgjidhur pasi në mbledhjen e zhvilluar pasditen e së premtes në këtë institucion janë shqyrtuar 5 kandidatura si anëtarë të KLP-së. Sipas procesverbalit të publikuar, prej tyre kanë përmbushur kriteret vetëm 3, të cilët janë juristët Andi Murataj, Entela Hoxhaj dhe Alfred Balla.

Avokati i Popullit pritet që këto kandidatura t’ia dërgojë Kuvendit i cili jep miratimin përfundmitar. Por derisa në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të vijë një emër i miratuar sipas ligjit të ri, Kuvendi zhvilloi procesin e zgjedhjes së një kryeprokurori të përkohshëm.

Ai pritet të votohet në seancën e ditës së hënë dhe në garë janë prokurorët Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.

Opozita e ka konsideruar zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm si antikushtetuese.