Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare Benet Beci ka vëzhguar nga afër situatën e përmbytjeve në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit. Ai është pritur me debate nga kryetari i fshatit Obot Gregor Pemaj, i cili e akuzon për nivelin e lartë të shkarkimeve gjatë ditëve të fundit.

Drejtori i KESH Benet Beci ka sqaruar se niveli i shkarkimeve në hidrocentrale gjatë kësaj periudhe ka qenë më i ulëti i regjistruar në vitet e fundit, ndërsa ka ftuar kryetarin e fshatit Obot, Gregor Pemaj për të parë nga afër shkarkimet dhe ndikimin minimal që kanë në përkeqësimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në territorin e bashkisë Shkodër.

Prej një muaji ka një debat të fortë nëse përmbytjet në territorin e bashkisë Shkodër vijnë si shkak i reshjeve të shiut dhe fryrjes së lumenjve. Aktualisht, po shkarkohet me  Hec Fierzë – 400 m3/s shkarkime nga portat, Hec Koman – 300 m3/s shkarkime nga portat, Hec Vau Dejës – 900 m3/s.