Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ka denoncuar nga landfilli i Bushatit atë që e cilëson si një situatë alarmante mjedisore, me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe për mjedisin.

Në një deklaratë për mediat, Boçi u shpreh se gjendja në këtë landfill përbën “një katastrofë mjedisore”, duke theksuar se situata nuk është rastësore, por sipas tij, pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit nga Bashkia Vau i Dejës.

“Jemi përballë një bombe ekologjike për zonën, e cila njëkohësisht është kthyer në një minierë ari për përfitimet e atyre që e keqmenaxhojnë,” deklaroi ai.

Sipas Boçit, banorët e zonave të Vaut të Dejës, Lezhës dhe Shkodrës po përballen edhe me rritje të tarifave të pastrimit, duke paguar deri në dyfish më shumë, ndërkohë që situata e menaxhimit të mbetjeve vijon të përkeqësohet.

Ai paralajmëroi për pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve, duke e cilësuar tymin që çlirohet nga landfilli si kancerogjen dhe me efekte afatgjata të pariparueshme.

Në përfundim, Boçi bëri thirrje për reagim nga ana e banorëve, duke theksuar se opozita do të jetë në krah të tyre në përballjen me këtë situatë.

Artikulli paraprakPAS MARTA KOS, PRESIDENTJA E PE-SË VLERËSON SHQIPËRINË NË RRUGËN DREJT INTEGRIMIT, METSOLA: ËSHTË NË KRYE TË PROCESIT
Artikulli tjetërSHKODËR/VIJOJNË OPERACIONET E NJËPASNJËSHME PËR GODITJEN E VEPRIMTARIVE KRIMINALE NË FUSHËN E NARKOTIKËVE