Thonë që borxhi nuk shlyhet me borxh por duket se Vllaznia nuk ka rrugëdalje tjetër. Klubi shkodran pritet këto ditë, përpara datës 2 janar të vitit të ardhshëm që të trokasë në dyert e miqve të përhershëm apo edhe personave të tjerë që pothuajse çdo herë mbeten anonim.

Burime pranë drejtuesve të klubit të futbollit Vllaznia bëjnë me dije se aktualisht bashkia Shkodër nuk ka bërë asnjë reagim për borxhet që tashmë duhen paguar ndaj 3 ish-futbollistëve të saj Rajoviç, Bushiç dhe Mehmedoviç që kapin një shifër në total për të 3 bashke prej afro 35 mijë eurosh. Për të mos lejuar penalizimin me -9 pikë nga FIFA drejtuesit e Vllaznisë do të provojnë që ta zgjidhin vetë këtë problem me premtimin se këtë borxh që do të marrin tek persona të ndryshëm ta shlyejnë mbas muajit shkurt kur mund edhe të miratohet buxheti i ri nga bashkia për vitin 2016-të. Gjithsesi drejtuesit e klubit ende janë në kërkim të 35 mijë eurove dhe këtë duhet ta bëjnë deri me 2 janar sepse në të kundërt ajo që ndëshkohet është Vllaznia. Nga ana tjetër të paktën deri tani sërish burime pranë drejtuesve të klubit rrëfejnë se me shumë mundësi nuk do të ketë afrime lojtarësh ose edhe numri i atyre që mund të vijnë pritet të jetë tejet i paktë për shkak të mungesës së fondeve aktualisht dhe arkës së boshatisur. Në rast se ndodh kështu sërish është një minus për skuadrën kuqeblu e cila vazhdon që objektiv të saj të ketë luftën për mbijetesë edhe pse për dikë mund të tingëllojë e çuditshme. Sa i përket të larguarve, zyrtare tashmë është largimi i Martinez, sulmuesi që rezultoi një dështim. Pritet që të largohen edhe Paviçeviç dhe sulmuesi tjetër Kdouh por deri tani me ta ende nuk është gjetur akordi dhe në rast se nuk pranojnë Vllaznia është e detyruar t’i mbajë e t’i paguaj. Skuadra kuqeblu mbetet në një situatë kaotike që nuk i shërben aspak në anën sportive.