Një çift shqiptarësh janë mes 50 të arrestuarve në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Ardian dhe Lindita Dema, burrë e grua, banorë në Castellarano, janë çifti shqiptar i arrestuar nga autoritetet italiane.

Mediat italiane raportojnë se ata janë arrestuar pas përfundimit të hetimeve për trafikimin e drogës nga Afrika e Veriut, ku anëtarët e grupit kujdeseshin për importimin e drogës nga Maroku dhe nëpërmjet korrierëve sillnin lëndën narkotike të llojit hashash përmes Spanjës në kamionë. Detyra e çiftit shqiptar ka qenë ruajtja e lëndës narkotike që shpërndahej më pas pranë zonës ku ata banonin. Ardian Dema, me profesion picier, i lindur në Krujë në vitin 1972, raportohet se ka qenë arrestuar edhe në marsin e vitit 2016, pasi u kap me 50 kilogramë drogë, e tashmë rikthehet sërish në qeli.

Por në përfundim të hetimeve për këtë grup, hetuesit italianë kanë arritur në konkluzionin se edhe bashkëshortja e tij Lindita Dema ishte e përfshirë në trafikun e drogës.