
Tre shtetas shqiptarë, të moshës 25, 41 dhe 49 vjeç janë arrestuar në Athinë. Ata akuzohen se sillnin nga Shqipëria dhe trafikonin në tregun grek sasi të mëdha kanabisi.
Dy të parët u arrestuan herët në mëngjes, në Peristeri, pas kontrollit që ushtroi një patrullë e policisë në mjetin e tyre që ndodhej i parkuar. Brenda mjetit, që ishte në pronësi të 49 vjeçarit, u gjetën 45 kilogramë kanabis.
Pasdite, në Megara jashtë Athinës, u arrestua edhe pronari i mjetit.
Policia thotë që pas hetimeve është verifikuar se ata të tre janë pjesë e një organizate kriminale që importonte nga Shqipëria dhe pastaj magazinonte dhe trafikonte në Greqi sasi të mëdha kanabisi të papërpunuar.
Tre të arrestuarit u dërguan në prokurori, dhe më pas u lanë në duar të hetuesisë për hetime të mëtejshme.


