
Në fshatin Lotaj, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, është konstatuar përhapja e dëmtuesit të rrezikshëm Dryocosmus kuriphilus (grerëza e galëve të gështenjës), i cili po shkakton dëme të konsiderueshme në pemët e gështenjës, duke rrezikuar seriozisht prodhimin bujqësor dhe ekosistemin lokal.
Banorët dhe fermerët e zonës shprehen të shqetësuar për përhapjen e shpejtë të këtij insekti invaziv, i njohur për dëmet e mëdha që shkakton në kulturat e gështenjës në shumë vende të Evropës.
Në këto kushte, banorët I bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë përmes monitorimit të situatës në terren dhe marrjes së masave konkrete për frenimin e përhapjes.
Ekspertët sugjerojnë veçanërisht përdorimin e metodave të kontrollit biologjik, si një nga mënyrat më efektive dhe miqësore me mjedisin për të luftuar këtë dëmtues.
Ndërhyrja në kohë konsiderohet thelbësore për të mbrojtur një nga burimet kryesore ekonomike të zonës dhe për të shmangur pasoja më të rënda në të ardhmen.






