Kur po shkon në përmbyllje të operacionit antikanabis në malësinë e “Dukagjinit”, policia e shtetit është përballur me të shtëna armësh. Mbrëmjen e së martes gjatë një ndërhyrje në njësinë administrative të Shoshit, në vendin e quajtur “Bjeshkët e Palajve”, 2 persona nga një shpat mali kanë qëlluar me armë zjarri automatik, ndërsa blutë e Shkodres dhe FNSH po ndërhynin në asgjesimin e një parcele ku ishin evidentuar 200 rrënjë kanabis.

Përballë të shtënave me armë, efektivët e komisariatit të Shkodres janë detyruar të kundërpërgjigjen. Fatmirësisht nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka patur të lënduar, ndërsa 2 personat të ndihmuar nga terreni i thyer dhe errësira kanë arritur të largohen pa u identifikuar dhe arrestuar nga policia.Kjo e fundit kreu asgjesimin e kanabisit dhe ka nisur hetimet për identifikimin e personave që tentuan të drejtojnë armët ndaj bluve. Edhe një vit më parë në zonën e “Dukagjinit” policia e shtetit hasi në rrezistencën e kultivuesve që qëlluan helikopterin e ushtrisë, i marrë në përdorim nga uniformat blu. Në harkun kohor të 2 viteve, dosjet “Dukagjini 1 dhe 2” numërojnë mbi 200 mijë rrënjë kanabis të asgjesuara dhe arrestim të disa personave, por që lufta më e madhe mbetet tek zbulimi i kokave të trafikut të lëndës narkotike.

Artikulli paraprakLIGA E KAMPIONEVE, NIS FAZA E GRUPEVE ME GOLA DHE SPEKTAKËL
Artikulli tjetërTATIMORËT ZBARKOJNË NË QËNDËR TË QYTETIT