
Dy aksidente janë shënuar brenda natës në Shkodër. I pari ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur rrugica e Koplikve. Një vajzë 19 vjeçare po lëvizte me biçikletë kur është aksidentuar nga një mjet që po ecte në atë aks. Nga sa bëhet e ditur 19 vjeçarja E.Kraja është rrëzuar.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës. Shtetasja E.Kraja është transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës. Sipas burimeve spitalore 19 vjeçarja ka marrë dëmtime të lehta sipërfaqësore duke qenë kështu jashtë rrezikut për jetën.
Pas mjekimit ajo është larguar drejt banesës së saj. Ajo që mbetet shqetësuese është rreziku që kanë ata që lëvizin me biçikletë në rrugët e qytetit. Numri i pedaluesve është i lartë në Shkodër ndërsa shpesh herë janë të kërcënuar nga përplasja prej mjeteve motorike.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në rrugën Shkodër-Velipojë. Një automjet me tre persona brenda ka rënë në kanalin buzë rrugës. Personat që ndodheshin brenda automjetit kanë arritur që të dalin me shpejtësi nga makina. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit të Shkodrës duke i dhënë ndihmën e parë tre personave të aksidentuar.
Sipas burimeve tre shtetasit janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë marrë dëmtime të lehta. Burimet policore bëjnë me dije se shkak i këtij aksidenti të jetë bërë errësira në aksin Shkodër-Velipojë si dhe mungesa e mbrojtësve anësore të rrugës. Ai segment është një rrezik për të gjithë ata që udhëtojnë sidomos gjatë orëve të natës.
Kjo për shkak se investimi i nisur aty ende nuk ka përfunduar. Përveç errësirës dhe mbrojtësve anësore mungon edhe sinjalistika apo ndriçimi. Duke qenë se sezoni turistik në Velipojë do arrijë kulmin edhe pak ditë, nga ana tjetër rreziku për aksidente mbetet i lartë.


