Dy ditë pas grabitjes së miliona eurove në Rinas, masat e sigurisë së brendshme vijojnë të jenë po të njëjta me masat e marra para ngjarjes.

Në dy dyert e përdorura për hyrjen dhe daljen e grabitësve, ende vijojnë blloqet e betonit, zinxhirët e dyerve dhe pistonat. Ndërkohë në ambientet e jashtme kryhen patrullime nga Forcat e Armatosura dhe policia.

Zinxhiri metalik dhe blloqet e betonit mbeten e vetmja pengesë kalimi në portën e Rinasit, nga ku hynë grabitësit e 10 milionë eurove.

E vetmja masë sigurie shtesë janë patrullimet nga policia e shtetit, ushtria, por edhe punonjësit e sigurisë së brendshme të aeroportit. Në mënyrë të veçantë siguria është rritur tek porta që grabitësit përdorën për të dalë nga aeroporti i Rinasit.

Forcat e armatosura të cilat bazën e tyre e kanë tek komanda ajrore, kryejnë patrullime në të gjithë perimetrin e jashtëm të aeroportit, deri në afërsi të vendit, ku u vra dhe Admir Murataj.

Pas deklaratës së drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu që në ambientet e brendshme do të përfshihet dhe policia, një patrullë e bluve kryen kontrolle në pistën e aeroportit.

Grabitja në Rinas u regjistrua të martën e kësaj jave rreth orës 15:00 në momentin paratë e 3 bankave ishin të vendosura në bordin e avionit, të cilat më pas do të transportoheshin drejt Vjenës.

Edhe të enjten, (11 prill) policia e shtetit ka vazhduar krehjen e zonave periferike të Tiranës, ku dyshohet se janë fshehur autorët e vjedhjes me armë.

Në operacion janë përfshirë rreth 100 efektivë që drejtohen nga zyrtarë të lartë të drejtorisë së përgjithshme të policisë, Tonin Vocaj dhe Gjovalin Loka.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakBASHA AKUZON RAMËN: DËSHTIMIN E POLICISË DHE QEVERISË PO IA FATURON NJË KOMPANIE PRIVATE
Artikulli tjetër45-VJEÇARJA BIE NGA KATI I DYTË, MISTER SHKAQET E NGJARJES