Dy ekipet e akademisë Vllaznia e kanë nisur me fitore fazën e tretë.
Skuadra e 17 vjeçarëve ka luajtur ndaj ekipit të akademisë së Tiranës. Ka qenë një përballje që për skuadrën e drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani nuk ka rezultuar shumë e lehtë. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0 edhe pse kuqeblutë kanë dominuar në lojë. Në pjesën e dytë Vllaznia sërish vuan për të gjetur golin e avantazhit. Pas disa rasteve dhe përpjekjeve për të kaluar në avantazh duhet të vijë minuta e 76’ kur Kraja merr një top të krosuar dhe me kokë godet saktë duke shënuar golin e parë që vulos fitoren për U-17. Tre pikët për Vllazninë vjejnë më shumë për statistikë sepse me shumë siguri do ta mbyllin në vendin e tretë këtë kampionat teksa aktualisht ndodhen në kuotën e 37 pikëve. Një ndeshje e vështirë ka qenë edhe për U-19-en. Të rinjtë të drejtuar nga Elvin Beqiri që pati ndeshjen e parë si trajner i këtij ekipi pas largimit të Edmond Doçit kanë patur përballjen e parë në fazën e tretë me skuadrën e Brians. Edhe për 19 vjeçarët ka rezultuar një ndeshje e vështirë por që në fund është mbyllur me sukses duke arritur fitoren. Pjesa e parë nuk ka patur gol. Në pjesën e dytë shkodranët duhet të presin minutat e fundit për të gjetur avantazhin. Është Zogaj ai i cili në minutën e 82’ realizon një gol të bukur teksa godet saktësisht nga një pozicion i prirët brenda zonës. 6 minuta më pas është Vecaj që merr një top të gjatë dhe kundërsulmon me shpejtësi, arrin të shmang portierin dhe realizon lehtësisht golin e dytë duke sjellë edhe qetësinë për kuqeblutë. Pavarësisht fitores 19 vjeçarët kanë zbritur në vendin e tretë me 40 pikë pasi janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës me heqjen e 3 pikëve dhe aktualisht U-19 ndodhet 5 pikë larg vendit të parë që është Shkëndija e Tiranës dhe 3 pikë larg Partizanit që mban vendin e dytë.