Vllaznia U-19 ka marrë një fitore me shumë vlerë ndaj Skënderbeut me rezultatin e pastër 2-0. Ky 90-minutësh ishte i shoqëruar nga një luftë e fortë sportive, por që në fund ka nxjerrë fitues kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Elvis Plori. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola 0-0, ndërsa pjesa e dytë filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për Vllazninë. Në minutën e 49-të ishte mesfushori Ensar Tafili, i cili shënoi golin e parë duke zhbllokuar shifrat, ndërsa në minutën e 79-të ishte Ehren Hoxha që dyfishoi shifrat. Kështu, e gjithë ndeshja u mbyll në shifrat 2-0 në favor të Vllaznia U-19, e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 17-pikëve dhe është e pozicionuar në vendin e tretë me pikë të barabarta me Partizanin e vendit të dytë. Nga ana tjetër, edhe Vllaznia U-17 ka arritur një fitore plot vlera në transfertë ndaj Laçit. Shkodranët, e drejtuar nga Valdano Nimani, arritën të triumfonin me rezultatin 2-1.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa në të dytën do të ishin miqtë që do të kalonin në avantazh në minutën e 62-të falë një goli të bukur të shënuar nga Flavio Fusha. Në vazhdim të pjesës së dytë, do të ishte Simon Uldedaj që do të ishte vendimtar për fatet e takimit, teksa ai shënoi golin e dytë në minutën e 79-të të ndeshjes. Në fund, Laçi arriti të shënonte, por ishte një gol që vlen vetëm për statistika, teksa e gjithë ndeshja u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të Vllaznisë U-17. Ndërkohë, për t’u ndalur tek Flavio Fusha, ai shihet si një nga elementët e së ardhmes tek Akademia Vllaznia.

Deri më tani në këtë sezon, ai ka shënuar tetë gola në kampionat, duke qenë në këtë mënyrë golashënuesi më i mirë në rradhët e 17-vjeçarëve e poashtu një ndër më të mirët në kampionat. Flavio Fusha luan si sulmues tipik 9-sh dhe konsiderohet një potencial i së ardhmes, ku edhe njëherë tjetër tregohet për punën e mirë që bëhet tek Akademia Vllaznia, që në vite ka furnizuar jo vetëm ekipin e parë kuqeblu, por pothuajse të gjithë Shqipërinë, me elementë që kanë spikatur në Superiore dhe jo vetëm.

Artikulli paraprakTËRBUNI FITON NË KOPLIK NDAJ VELEÇIKUT
Artikulli tjetërRRITET NUMRI I TË VEGJËLVE ME MIOPI