Dy të rinj shqiptarë që synojnë të plotësojnë ëndrrën e kurorëzimit si kampionë të xhudos në Francë po kërcënohen me dëbim nga vendi nga autoritetet franceze.

Në mbështetje të familjes Gjoka kanë dalë mediet dhe komuniteti i komunës ku ata jetojnë, të cilët nënvizojnë se fëmijët janë shembull për edukatën dhe talentin e tyre, dhe nuk duhet kurrsesi të braktisen.

Nikolla 11-vjeçar dhe motra e tij, Xhensila Gjoka, 15 vjeçe, janë dy fëmijë model emigrantësh shqiptarë të integruar mjaft mirë me komunitetin francez.

Prej tre vitesh ata praktikojnë sportin e xhudos në qendrën sportive rajonale të San-Martën Dëherit, dhe janë bërë shembull për kurajën, talentin dhe edukatën që përcjellin te shokët e tjerë.

Historia e dy të rinjve ka marrë vëmendjen e televizioneve lokale dhe të bashkësisë administrative në jug të Francës pikërisht se e ardhmja e tyre është në rrezik.

Arsyeja është një lajmërim i lëshuar dhjetorin e kaluar nga autoritetet vendase, që detyron familjen Gjoka të largohet nga vendi pasi nuk i është pranuar lejeqëndrimi.

Vetë Nikolla thotë se ky vendim do e ndante atë përgjithnjë nga sporti i tij i preferuar.

“Kemi ardhur nga Shqipëria. Një ditë i kërkova tim ati nëse mund të më regjistronte në një klub xhudoje si në Shqipëri, pasi për mua është një sport tejet i veçantë, është një sport perfekt, dhe nuk mund ta lë.”

Familja Gjoka emigroi në Francë në vitin 2016, të nxitur nga motive politike.
Babai i familjes, Gjergji, thotë se nëse ata kthehen pas nuk do të kenë të njëjta kushte.

“Fëmijët kanë fituar një edukatë sportive, janë integruar dhe ndjehen shumë mirë këtu në Francë. Nuk duan që të kthehen pasi do të humbnin të ardhmen dhe ëndrrat e tyre. Shqipëria nuk ka lidhje me vendin këtu.”

Kundër dëbimit të tyre kanë dalë mbi një mijë qytetarë përmes një peticioni drejtuar organeve vendore, por edhe klubi sportiv ku ata trajnohen, duke theksuar se pavarësisht origjinës, dy të rinjtë flasin një frëngjishte të përsosur dhe nuk kanë asnjë problem me integrimin në komunitet.

Familja Gjoka e ka apeluar vendimin e komunës dhe kauza e tyre do të rishqyrtohet nga gjykata administrative ditën e enjte.

Falë talentit të tij, Nikolla është shpallur kampion i komunës në sportin e xhudos dhe në muajin qershor pritet të marrë pjesë në kampionatin francez për të rinjtë, shpresë të cilën e mban edhe motra e tij, Xhensila.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA PËR OPOZITËN: BARBARË DHE ENDACAKË, RRUGËN ZGJODHËN NË RRUGË LE TË RRINË!
Artikulli tjetërGREVË URIE NË BURGUN 302