
Dy persona nga Lezha kanë humbur jetën në dy ngjarje të ndryshme në Itali dhe Greqi.Rasti i parë u regjistrua në Arezzo, Itali, ku Gjergj Pergegaj, 30-vjeç, nga fshati Torovicë, u ekzekutua me armë zjarri pranë zonës Bivio di Olmo, në jug të qytetit. Krimi ndodhi pak para mesnatës të së premtes, pas një konflikti mes tij dhe një shqiptari tjetër pranë një lokali.
Motivi i vrasjes dyshohet të ketë lidhje me një takim të viktimës me ish-të dashurën rumune të autorit pranë kryqëzimit të rrugëve Olmo. Në këtë moment, dyshohet se partneri aktual i vajzës qëlloi katër herë me armë zjarri, një prej plumbave të së cilës ishte fatal dhe e preku 30-vjeçarin në qafë, ndersa policia arrestoi autorin e ngjarjes.
Ndërsa një tjetër lezhjan, nga fshati Grykë-Zezë, gjeti vdekjen pas një aksidenti rrugor në Rethimnos, Greqi. Kastriot Matrizi, 45-vjeç, humbi kontrollin e automjetit që drejtonte në një kthesë, dhe goditja ishte e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndersa viktima jetonte dhe punonte prej vitesh në shtetin fqinj.






